Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup, më 26 qershor 2026, organizoi manifestimin solemn për ndarjen e titullit më të lartë akademik „Doctor Honoris Causa“ për Reisul Ulemanë e Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. Hafiz Shaqir ef. Fetai. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame në praninë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademike dhe fetare, drejtuesve të institucioneve arsimore, profesorëve universitarë, imamëve, studentëve dhe mysafirëve të shumtë nga vendi dhe rajoni, të cilët me praninë e tyre i dhanë një dimension të veçantë kësaj ngjarjeje të rëndësishme akademike dhe institucionale.
Në fjalën e tij hyrëse, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi, duke nënvizuar se titulli „Doctor Honoris Causa“ u nda si shprehje e mirënjohjes dhe respektit për kontributin e jashtëzakonshëm të H. Hafiz Shaqir ef. Fetait në zhvillimin e arsimit islam, avancimin e institucioneve fetare dhe arsimore, promovimin e dijes dhe edukimit, si dhe forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë ceremonisë u lexua vendimi për ndarjen e titullit „Doctor Honoris Causa“, ku u theksua se H. Hafiz Shaqir ef. Fetai, përmes veprimtarisë së tij shumëvjeçare si imam, pedagog, teolog dhe udhëheqës fetar, ka dhënë kontribut të çmuar në afirmimin e vlerave islame, zhvillimin e mendimit bashkëkohor islam dhe konsolidimin e rolit të institucioneve fetare dhe arsimore në shoqëri.
Po ashtu, u vlerësua angazhimi i tij në promovimin e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës, si dhe përkushtimi i vazhdueshëm në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar të komunitetit musliman në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë. Momenti qendror i manifestimit ishte dorëzimi i diplomës të titullit „Doctor Honoris Causa“, të cilat iu ndanë laureatit si simbol i vlerësimit institucional për kontributin e tij të shquar në fushën e arsimit, kulturës, jetës fetare dhe shoqërore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, H. Hafiz Shaqir ef. Fetai falënderoi Fakultetin e Shkencave Islame për nderin dhe vlerësimin e dhënë, duke e cilësuar këtë titull jo vetëm si një mirënjohje personale, por edhe si një vlerësim për institucionet fetare dhe arsimore që punojnë për edukimin dhe formimin e brezave të rinj mbi parimet e dijes, etikës dhe përgjegjësisë shoqërore. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe fetare në përballjen me sfidat bashkëkohore, duke potencuar se investimi në dije, edukim dhe kërkim shkencor mbetet rruga më e sigurt drejt zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë.
Manifestimi u përmbyll në një atmosferë festive dhe solemne, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup dhe duke riafirmuar përkushtimin e tij për të nderuar dhe vlerësuar personalitetet që me veprën dhe angazhimin e tyre kanë lënë gjurmë të rëndësishme në jetën akademike, fetare dhe shoqërore. Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup i uron H. Hafiz Shaqir ef. Fetait shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejshme në misionin e tij fisnik në shërbim të fesë, arsimit dhe shoqërisë.

























































