Dekani i Fakultetit, Prof dr Abdulxhemil Nesimi i shoqëruar nga Prof. Dr. Shinazi Memedi, mori pjesë në solemnitetin e organizuar me rastin e 40-vjetorit të revistës “Dituria Islame”, që u mbajt në Prishtinë.

Delegacioni u prit nga Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z Naim Ternava së bashku me stafin e tij, si dhe nga Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame.
Në këtë ngjarje solemne, fjalë përshëndetëse mbajti H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili vlerësoi rolin dhe rëndësinë e revistës “Dituria Islame” gjatë katër dekadave të veprimtarisë së saj. Në fjalën e tij, ai theksoi se kjo revistë ka trajtuar me përkushtim tema islame bashkëkohore, duke ndriçuar çështje të rëndësishme fetare, arsimore e shoqërore, si dhe duke përcjellë zhvillimet dhe sfidat me të cilat është përballur popullata shqiptare myslimane në rajon.
Reisul Ulema veçoi gjithashtu kontributin e revistës në ruajtjen dhe promovimin e vlerave islame, kulturore dhe kombëtare, duke e cilësuar atë si një burim të rëndësishëm të dijes dhe të mendimit islam ndër shqiptarët.
Solemniteti u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe akademike, duke mbledhur personalitete fetare, akademikë, studiues dhe mysafirë të shumtë nga vendi dhe rajoni për të shënuar këtë jubile të rëndësishëm të revistës “Dituria Islame”.