Konferenca shkencore treditore, e organizuar nga Ministria e Vakëfit në Kajro, përmbylli me sukses punimet e saj, duke nxjerrë konkluzione të rëndësishme shkencore dhe institucionale lidhur me profesionalizmin në Islam, etikën dhe rolin e tyre në zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Gjatë sesioneve të konferencës, pjesëmarrësit theksuan domosdoshmërinë e integrimit të parimeve etike islame në zhvillimet bashkëkohore teknologjike, si dhe rolin e profesionalizmit në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.
U propozuan konkluzione konkrete që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, botimin dhe shpërndarjen e punimeve shkencore në qendrat akademike të botës islame, si dhe përcjelljen e tyre në institucione ndërkombëtare relevante, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në kuadër të programit zyrtar, u realizuan edhe vizita institucionale dhe kulturore, ndër të cilat vizita në Dar al-Kur’an, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me reformat bashkëkohore në shërbim të Kur’anit Famëlartë, si një model i avancuar i ruajtjes, dokumentimit dhe prezantimit të trashëgimisë islame.
Konferenca u përmbyll me një ceremoni lamtumire dhe falënderimi, duke reflektuar frymën e vëllazërisë, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet delegacioneve pjesëmarrëse. Me këtë rast, u riafirmua angazhimi i institucioneve pjesëmarrëse për vazhdimin e dialogut shkencor dhe shkëmbimit akademik në të ardhmen.
Përfaqësuesit e Bashkësisë Fetare Islame vlerësuan lart organizimin dhe mikpritjen e ofruar nga Ministria e Vakëfit, duke theksuar rëndësinë e këtyre platformave për avancimin e dijes, etikës dhe bashkëpunimit institucional në botën islame.
Gjatë qëndrimit në Kajro, delegacioni i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), në përbërje të Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, Doc. Dr. Abdulkerim Iseni dhe Dr. Islam Islami, zhvilloi gjithashtu një takim të veçantë me studentë nga Maqedonia e Veriut dhe trojet shqiptare, ku u diskutuan çështje që lidhen me arsimin fetar dhe sfidat bashkëkohore të rinisë.
Në emër të delegacionit të Bashkësisë Fetare Islame dhe Kryetarit të saj, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, duke përcjellë njëkohësisht edhe ftesën zyrtare për vizitë në vendin tonë.
Zoti e bekoftë Egjiptin dhe dijetarët e saj.









