Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga Prodekani Prof. Dr. Ziber Lata dhe stafi akademik i fakultetit, priti në një vizitë zyrtare delegacionin e Kırklareli University.
Delegacioni udhëhiqej nga Dekani i Fakultetit të Teologjisë, Prof. Dr. Abdusselam Arı, i shoqëruar nga profesorë të këtij fakulteti, si dhe nga Drejtori i Qendrës për Studime Ballkanike, Assoc. Prof. Dr. Feim Gashi.
Gjatë takimit u zhvilluan diskutime mbi çështje me interes të përbashkët akademik dhe shkencor, me theks të veçantë në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit të lartë. Në fokus të bisedimeve ishin zhvillimi i projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimi i stafit akademik dhe studentëve, organizimi i aktiviteteve shkencore, si dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet dy institucioneve.
Të dyja palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar si një faktor kyç për avancimin e cilësisë akademike, promovimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e kuadrove profesionale. Në këtë drejtim, u shpreh gatishmëria e ndërsjellë për thellimin dhe institucionalizimin e mëtejmë të marrëdhënieve të bashkëpunimit.
Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore, konstruktive dhe bashkëpunuese, duke reflektuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneriteteve akademike, promovimin e dialogut ndërkulturor dhe shkëmbimin e njohurive në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm institucional dhe shkencor.





