Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, realizoi një vizitë zyrtare në Medresenë “Isa Beu”, ku u prit nga drejtori i institucionit, Dr. Islam Islami, si dhe nga stafi arsimor dhe nxënësit maturantë të medresesë.
Në kuadër të kësaj vizite, dekani zhvilloi një takim me maturantët dhe nxënësit, gjatë të cilit i njoftoi ata me programet studimore, drejtimet akademike dhe kushtet që ofron Fakulteti i Shkencave Islame për studentët e ardhshëm. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të arsimit të lartë dhe rolin që Fakulteti ka në përgatitjen profesionale, shkencore dhe fetare të kuadrove të reja.
Në fjalën e tij, Prof. Dr. Nesimi ndau edhe kujtime personale nga koha kur ishte nxënës i Medresesë “Isa Beu”, duke shprehur nostalgjinë për ato vite dhe duke rikujtuar dëshirën e kahershme të gjeneratës së tij dhe të profesorëve për ekzistimin e një institucioni të arsimit të lartë islam në vend. Ai theksoi se dikur kjo ishte një ëndërr e përbashkët, ndërsa sot Fakulteti i Shkencave Islame përfaqëson realizimin e saj dhe një mundësi të rëndësishme për brezat e rinj që dëshirojnë të vazhdojnë rrugën e dijes dhe formimit akademik.
Nxënësve iu drejtua edhe prodekani i Fakultetit, Prof. Dr. Ziber Lata, i cili foli për rëndësinë e përkushtimit në rrugën e dijes, si dhe për mundësitë akademike dhe zhvillimore që ofron Fakulteti i Shkencave Islame.
Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, i cili shprehu mirënjohje për vizitën dhe vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale në shërbim të arsimit, edukimit dhe komunitetit në përgjithësi.
Pas takimit, përfaqësuesit e Fakultetit vizituan ambientet e medresesë dhe zhvilluan biseda të përbashkëta me stafin arsimor, duke riafirmuar gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në të ardhmen.




























