Në kuadër të angazhimeve institucionale për forcimin e bashkëpunimit me institucionet fetare dhe arsimore islame, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, realizoi një vizitë zyrtare në Myftininë e Shtipit dhe në Medresenë e Djemve në Shtip.
Delegacioni i Fakultetit u prit nga Myftiu i Shtipit, Mr. Nasir Rexhepi, si dhe nga koordinatori i Medresesë, Prof. Idriz Halitov, në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe bashkëpunuese. Dekani shoqërohej nga Prof. Dr. Muhamed Mustafi, Prof. Dr. Jusuf Mustafai, Doc. Dr. Mumin Omerov, Ardit Sadiku, si dhe Kryetari i Parlamentit Studentor së bashku me anëtarët e kryesisë.
Gjatë takimit, Dekani përcolli përshëndetjet dhe vlerësimet e tij për rolin dhe kontributin e çmuar që Myftinia dhe Medreseja japin në edukimin, arsimimin dhe formimin fetar të brezave të rinj. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve arsimore dhe fetare në funksion të avancimit të dijes, vlerave morale dhe zhvillimit të shoqërisë.
Nga ana e tij, Myftiu i Shtipit falënderoi Dekanin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në projekte dhe aktivitete të përbashkëta akademike, edukative dhe kulturore. Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të ndërsjellë, u shkëmbyen dhurata simbolike, ndërsa mysafirëve iu shtrua mëngjes i përgatitur nga restorani i Medresesë.
Në vazhdim të vizitës, Dekani zhvilloi një takim të veçantë me maturantët dhe nxënësit e Medresesë, ku i përgëzoi profesorët dhe drejtuesit për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në përgatitjen akademike dhe edukative të nxënësve. Ai uroi maturantët për shëndet, sukses dhe mbarësi në rrugëtimin e tyre të ardhshëm akademik dhe profesional, duke i ftuar që studimet e tyre t’i vazhdojnë në Fakultetin e Shkencave Islame, si vatër e dijes, edukimit dhe formimit profesional e shpirtëror.
Gjithashtu, Dekani i njohu nxënësit me kushtet që ofron Fakulteti, programet studimore, aktivitetet akademike dhe vizionin institucional, duke theksuar përkushtimin e Fakultetit për të ofruar arsim cilësor përmes stafit akademik të kualifikuar dhe programeve të akredituara sipas standardeve bashkëkohore universitare.
Vizita përfundoi me urata të ndërsjella dhe me shprehjen e gatishmërisë që takime dhe bashkëpunime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në funksion të avancimit të arsimit islam, forcimit të bashkëpunimit institucional dhe formimit të gjeneratave të reja me vlera të mirëfillta akademike dhe morale.












