Më datë 12.01.2026 në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame, u realizuan me sukses mbrojtjet e dy temave të diplomës nga studentë të nivelit universitar, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre akademik.
Studenti Bejtulla Baftiri dhe studentja Suela Shakiri, në prani të komisioneve vlerësuese dhe nën mentorimin e profesorëve përkatës, prezantuan punimet e tyre në mënyrë profesionale, të strukturuar dhe me argumentim shkencor të qëndrueshëm.
Mbrojtjen e parë e realizoi studenti Bejtulla Baftiri, nën mentorimin e Prof. Dr. Taxhedin Bislimit. Komisioni vlerësues përbëhej nga Prof. Dr. Faredin Ebibi (kryetar) dhe Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi (anëtar). Tema e tij me titull: “Krahasimi i sistemit financiar islam me sistemin financiar të Republikës së Maqedonisë së Veriut” trajtoi parimet bazë të financës islame, dallimet me sistemin financiar konvencional dhe sfidat e zbatimit të saj në kontekstin bashkëkohor.
Tema e dytë u mbrojt nga studentja Suela Shakiri, nën mentorimin e Prof. Dr. Taxhedin Bislimit, ndërsa komisioni vlerësues përbëhej nga Prof. Dr. Faredin Ebibi (kryetar) dhe Prof. Dr. Abdilkerim Iseni (anëtar). Tema me titull: “Të drejtat e gruas në fejesë dhe martesë sipas Sheriatit Islam, traditave shqiptare dhe ligjit të Republikës së Maqedonisë së Veriut” analizoi pozitën dhe të drejtat e gruas në këto tri dimensione, duke krahasuar normat fetare, traditat kulturore dhe dispozitat ligjore bashkëkohore.
Të dy kandidatët paraqitën rezultatet e hulumtimeve me qartësi dhe siguri, duke dëshmuar përgatitje të lartë akademike, aftësi analitike dhe pjekuri shkencore. Komisionet i vlerësuan punimet në mënyrë pozitive, duke theksuar rëndësinë tematike dhe nivelin e lartë të prezantimeve.
Fakulteti i Shkencave Islame shpreh kënaqësinë dhe krenarinë për suksesin e studentëve dhe për përkushtimin e stafit akademik, duke riafirmuar angazhimin e tij ndaj standardeve të larta në edukim dhe kërkim shkencor.






